U SHĖNUA 11 – VJETORI I RIHAPJES SĖ QKMF-sė “Dr. VEZIR BAJRAMI”

 

           Shtime, 16 qershor- Nga strukturat udhëheqëse komunale dhe punëtorët shëndetësor të QKMF-së sot, në shenjë kujtimi dhe respekti për kolegun e punës janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora me lule të freskëta në varrin e të ndjerit dr. Vezir Bajrami në Mollopolc.

Me rastin e 16 Qershorit – Ditës të funksionalizimit dhe rihapjes së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Vezir Bajrami”, në oborrin e saj, u shënua kjo ditë nga strukturat udhëheqëse komunale, qytetarë dhe punëtorët shëndetësor.
 
 
          Pas intonimit të himnit kombëtar dhe një minutë heshtje për dëshmorët e kombit dhe të ndjerin dr. Vezir Bajrami, fjalën e mori, drejtori i QKMF-së “Dr. Vezir Bajrami”, z. Bujar Ferati, i cili duke përshëndetur të gjithë të pranishmit e në veçanti familjen Bajrami ndër tjerash theksoi: “ Fillimi i këtij institucioni shëndetësor daton nga përfundimi i luftës çlirimtare. Duke funksionuar si një institucion i mirëfilltë shëndetësorë i cili ofron shërbime të ndryshme shëndetësore siç janë: mjekësia familjare, shërbime specialistike, emergjencë, diagnostika, stomatologjia.
 
 
         Ai në vazhdim foli për të arriturat dhe për stafin punonjës të QKMF-së “Dr. Vezir Bajrami” :
“ Synimet tona janë me ato të OBSH-së si dhe me të Strategjisë Kombëtarë për Mbrojtje Shëndetësore, përmirësimin e shëndetit të rinjve, zvogëlimin e sëmundjeve ngjitëse, vazhdimin e edukimit profesional të mjekëve dhe infermierëve në funksion të rritjes së cilësisë të shërbimeve shëndetësore.”.
 
          Kryetari i Komunës, z. Naim Ismajli, përshëndeti të gjithë të pranishmit, ku në vazhdim tha: “Jemi tubuar këtu në përvjetorin e radhës së Qendrës Kryesore e Mjekësisë Familjare ”Dr. Vezir Bajrami“ dhe në këtë përvjetor, sigurisht se veçantia e këtij është se po i shtojmë një vlerë, po e begatojmë, duke promovuar monumentin për Dr. Vezir Bajramin, i cili jo vetëm që shtohet si një monument shtesë dhe përkujton ushtrinë e lavdishme çlirimtare, por mbi të gjitha e nderon këtë institucion. 
 
 
          Emocionet e gëzimit sot përshkruajnë një ditë historike që përfundimisht kjo Qendër e Mjekësisë Familjare dhe shumë institucioneve dhe baskë me to edhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë ndier të lirë, të çliruar nga barbaria ushtarake serbe .Por ndjenja e pikëllimit është se sot nuk është me ne veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, punëtori i palodhshëm edhe në ditët e luftës edhe para luftës sepse ishte punëtori shëndetësorë, ndër mjekët e parë shqiptarë në këtë institucion dhe dha kontributin në këtë institucion. Por gjatë luftës ishte i radhitur krahë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke ju ndihmuar dhe gjetur pranë momenteve më të vështira. Pra, kur kujtojmë këto momente sigurisht se ndjenjat tona janë të dhembjes dhe të vështira se sot në mesin tonë nuk është Dr. Veziri.  
          Prandaj, të nderuar të pranishëm, le të na shërbejnë këto raste përkujtimi, këto ngritje të monumenteve për të treguar vlerat të cilat ka bartë në këtë rast Ushtria Çlirimtare e Kosovës të cilat duhet të nguliten thellë në kokat tona e posaçërisht tek brezat e rinj se lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ishte ajo që ndërroi historinë tonë, ndërroi dinjitetin tonë kombëtarë dhe sot ne frymojmë ndryshe, ne sot e shohim perspektiven ndryshe dhe gjitha këto perspektiva që janë hapë janë dhuratë që ne na ka lënë Ushtria Çlirimtare e Kosovës . Shumë nga bashkëluftëtarët tanë nuk janë në mesin tonë, mirëpo ata janë, gjaku i tyre është themeli i shtetit tonë .”.
 
          Në vazhdim fjalën e mori Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare për komunën e Shtimes, Kolonel Safet Syla i cili përshëndeti të pranishmit.
 
          Ndër tjera ai shtoi : “ Me forcimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtrirjen, pozicionimin si dhe imponimit të luftës frontale, shëndetësia ishte segment shumë me rëndësi në luftën taktiko-ushtarake, pasi që kishte të plagosur rëndë dhe lehtë, të lënduar dhe të vrarë. Duke u nisur nga nevoja për sektorin e shëndetësisë dhënia e ndihmës së parë nëpër beteja si dhe intervenimet mjekësore kirurgjike në salla dhe spitale të improvizuara shëndetësia në krye me Doktor Vezir Bajramin morën përmasa të mëdha në ndërtimin dhe zgjerimin e këtij sektori shumë me rëndësi për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dr. Vezir Bajrami ishte i dashur për të gjithë edhe si luftëtarë edhe si veteran,veprimtar. Me sjelljet e tija në çastet më të luftës ishin aq burrërore dhe aq heroike sa që tek luftëtarët e plagosur sillte besim dhe rrezatim trimërie.
 
           Të nderuar pjesëmarrës sot me nderë dhe krenari shtëpia e shëndetit e cila mban emrin e Dr. Vezir Bajramit është e stolisur me bustin e luftëtarit, veteranit dhe mjekut tonë të dashur e të pa harruar, ju kolektiv i kësaj shtëpie të shëndetit, ju qytetarë të nderuar e gëzofshi këtë monument.”.
 
 
          Në vazhdim Dr. Beqir Beqa foli për jetën dhe veprimtarinë e Dr. Vezir Bajramit, ndihmën që ai i kishte dhënë popullatës,afërsinë e tij me popullin etj.
 
          Ai për veprimtarinë e Dr. Vezirit tha: “ Paraqitja e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës Dr. Vezirin e gjeti duke ushtruar profesionin e tij prej mjeku në fshatin Recak, përkatësisht në ordinancën “Nora Medicus”. Kontributi i tij ishte i shumë anshëm si mjek, si luftëtarë, por edhe si strateg i luftës për ruajtjen e popullatës nga sëmundjet e ndryshme. Aktiviteti i tij profesional dhe kombëtar u shpreh edhe më shumë gjatë ditëve të Masakrës së Reçakut .
 
 
          Ndërsa në emër të familjes Bajrami foli Gojart Bajrami i biri i Dr. Vezir Bajramit i cili në në emër të familjes Bajrami tha: “ Falënderojmë Shoqatën e Veteranëve të UCK-së dega në Shtime për iniciativën për ngritjen e këtij monumenti për prindin, familjarin dhe qytetarin e komunës tonë Dr. Vezir Bajrami dhe të gjitha bizneset që pa hezitim kanë shprehur gatishmërinë për ndihmë.  
          Falënderojmë Kuvendin Komunal Shtime për financimin, mbikëqyrjen dhe realizimin e punës që nga fillimi e deri në përfundimin e këtij monumenti madhështor në oborrin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, që bënë të mundur që figura e Dr. Vezir Bajramit të skalitet për tu përkujtuar nga brezat e ardhshëm. Falënderojmë të gjithë folësit e këtij manifestimi.".
 
 

Ndërsa në fund nga QKMF Shtime u shtrua një koktej rasti për tëgjithë të pranishmit.



Data: 16.06.2010